December 20, 2025

Protesta e parë kombëtare, mijëra qytetarë mblidhen në shesh kundër hajdutërisë.

Image BD

Më 20 dhjetor 2025, Lëvizja Shqipëria Bëhet zhvilloi protestën kombëtare të paralajmëruar përpara godinës së Kryeministria, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta, e cila vjen pas më shumë se dy javësh qëndrese qytetare para godinës së qeverisë, ishte lajmëruar sipas procedurave ligjore. Megjithatë, situata u tensionua në momentin kur forcat e policisë ndërhynë për të larguar pajisjet e fonisë dhe gjeneratorin.

Ndërhyrja e policisë solli përplasje fizike me protestuesit, të cilët kundërshtuan heqjen e pajisjeve, duke theksuar se protesta ishte paqësore dhe e organizuar në përputhje me ligjin. Për disa minuta situata mbeti e tensionuar, por protesta vijoi me mbajtjen e fjalimeve dhe thirrjeve qytetare.

Në fjalën e tij para qytetarëve, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e akuzuar për mosmbajtje premtimesh, keqqeverisje dhe vjedhje masive ndaj qytetarëve.

“Ftoj qytetarët të bashkohen dhe që Rama të dorëhiqet. Premtimet që dha, gënjeu dhe nuk i mbajti. Është koha që brezi i ri të bashkohet. Nuk trembem nga procedimet penale,” deklaroi Lapaj, mes thirrjeve tëturmës.

Folës të tjerë nga Lëvizja Shqipëria Bëhet, si dhe qytetarë të lirë, ndër ta Lush Susaj, Dorina Prethi, Genti Kame, Amel Pervizi, Greta Ambeli, Edona Haklaj, Merita Bekteshi, Elton Laska, Arilda Lleshi, Voltian Hoxha, Panajot Soko, Ergys Mertiri, Ergys Llanaj dhe Flamur Balaj, ngritën shqetësime për situatën në shëndetësi, mungesën e ilaçeve për të sëmurët, vështirësitë ekonomike të fermerëve dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Në protestë pati pjesëmarrës edhe nga diaspora, si Ardit Boo, Eduart Kaca, Aleksandër Runaj dhe Eligert Hima, të cilët u bënë thirrje bashkëkombasve të reagojnë dhe të angazhohen për atdheun e tyre.

Protestuesit e cilësuan momentin si një përballje mes “së mirës dhe së keqes”, duke u bërë thirrje qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që të bashkohen në atë që e quajtën një betejë për çlirimin e vendit nga keqqeverisja.

Sipas organizatorëve, kjo protestë shënon nisjen e një mobilizimi më të gjerë kombëtar, me synimin për ndryshim politik dhe rikthimin e përgjegjshmërisë qeverisëse përballë qytetarëve.