December 15, 2025

Policia zhvendos me forcë aktivistët e “Shqipëria Bëhet”

Image BD

Sot, përpara nisjes së protestës së thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në orën 18:00 para Kryeministrisë, policia ka ndërhyrë për të zhvendosur me forcë aktivistët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të cilët prej disa ditësh po zhvillojnë një protestë paqësore përpara godinës së Kryeministrisë.

Sipas deklaratës së përfaqësuesit të lëvizjes, Adriatik Lapaj, fillimisht janë hequr çadrat dhe gjeneratorët e protestuesve, ndërsa më pas atyre u është kërkuar të largohen fizikisht nga zona, me argumentin se do të zhvillohej një protestë tjetër dhe për shkak të perimetrit të sigurisë.

“Na hoqën çadrat dhe gjeneratorët, tani duan të na heqin edhe fizikisht sepse duhet të protestojë dikush tjetër. Kjo është e papranueshme. Protesta jonë ka qenë dhe mbetet paqësore”, u shpreh Lapaj.

Aktivistët e “Shqipëria Bëhet” theksojnë se mjetet e përdorura gjatë protestës kanë qenë simbolike dhe paqësore, ndërsa kërkesat e tyre për zhvillimin e protestës në bulevard dhe për përdorimin e fonisë nuk janë miratuar nga autoritetet përkatëse.

Sipas Lapajt, zhvendosja është bërë në mënyrë të dhunshme, pavarësisht se protestuesit kishin hequr çdo mjet që mund të konsiderohej pengesë për perimetrin e sigurisë.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” rithekson se protesta e saj ka një kërkesë të qartë dhe të vetme: dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore të përbërë nga profesionistë dhe intelektualë, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, ku partitë politike të garojnë në kushte të barabarta.

Pavarësisht zhvendosjes, përfaqësuesit e lëvizjes kanë deklaruar se do të vijojnë protestën e tyre çdo ditë në orën 18:00, duke theksuar se pjesëmarrja qytetare po rritet nga dita në ditë.