January 4, 2026

Tensione gjatë protestës së 4 janarit para Kryeministrisë, “Shqipëria Bëhet” denoncon presion dhe ndërhyrje të dhunshme

Image BD

Protesta e radhës e organizuar nga Lëvizja Shqipëria Bëhet më 4 janar para godinës së Kryeministrisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, akuzoi persona civilë se po fotografonin protestuesit me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tyre pas tubimit.

“Ka civilë që po u bëjnë foto qytetarëve për t’i arrestuar. Turp të keni, hajdutë. Arrestoni mua, ja ku jam. Pse u bëni foto qytetarëve? Pse i frikësoni njerëzit?”, u shpreh Lapaj para protestuesve.

Sipas përfaqësuesve të lëvizjes, në fillim të protestës u konstatuan disa persona civilë që fotografonin pjesëmarrësit. Ata theksojnë se kjo praktikë është konstatuar edhe në aktivitete të tjera, ku mbështetës të lëvizjes pretendojnë se janë fotografuar dhe të dhënat e tyre janë përdorur për presion administrativ.

Arrestime dhe procedime

Pas përfundimit të protestës, policia njoftoi arrestimin e katër personave dhe procedimin penal të nëntë të tjerëve në lidhje me ngjarjet e ndodhura gjatë tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, u arrestuan shtetasit:

  • E. H., 30 vjeç
  • A. M., 40 vjeç
  • E. H., 39 vjeç
  • E. Ll., 41 vjeç

Ndërsa u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

  • V. H.
  • A. Sh.
  • E. L.
  • A. B.
  • A. Sh.
  • M. Xh.

Po ashtu, në Prokurori nisi procedimi penal edhe për:

  • A. L. (Adriatik Lapaj)
  • E. K.
  • A. P.

Mes të proceduarve është edhe Adriatik Lapaj, i cili, sipas policisë, akuzohet për bllokim të hapësirës publike përpara Kryeministrisë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të “Shqipëria Bëhet” deklarojnë se ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë e dhunshme dhe e pajustifikuar, duke pretenduar se pas largimit të shumicës së protestuesve, efektivët kanë ndërhyrë për të hequr çadrat, strukturat metalike dhe pajisje të tjera të vendosura për vijimin e qëndresës.

Sipas tyre, ndërhyrja është kryer pa paralajmërim dhe pa negociata, duke shkaktuar dëmtime materiale dhe lëndime fizike ndaj disa qytetarëve, të cilët  janë shoqëruar në komisariat dhe disa të tjerë kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.

“Shqipëria Bëhet” dënon veprimet e Policisë

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” dënon me forcë veprimet që i cilëson represive të Policisë së Shtetit gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku sipas saj qytetarë paqësorë, të rinj idealistë dhe qytetarë model, janë dhunuar, shoqëruar, proceduar dhe arrestuar në mënyrë të pajustifikueshme.

Sipas deklaratës së lëvizjes, gjatë zhvillimit të protestës janë arrestuar Doktori i Shkencave Ushtarake Ergys Llanaj, Juristi Edison Haklaj, Avokati Alfred Matoshi dhe Eksperti i Kriminalistikës Eligert Hima. Lëvizja thekson se të katërt janë profesionistë të së drejtës dhe ligjit, të njohur publikisht për sjelljen korrekte, angazhimin qytetar dhe idealizmin e tyre, duke shtuar se nuk përbëjnë asnjë rrezik për rendin apo sigurinë publike.

Sipas saj, arrestimi i tyre përbën akt presioni politik dhe frikësimi ndaj të rinjve që ngrenë zërin, ndërsa konsiderohet i papranueshëm edhe referimi i materialeve në Prokurori për nëntë shtetas të tjerë, pasi cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës dhe lirinë e protestës.

Lëvizja pretendon gjithashtu se shkatërrimi i vendit të protestës është kryer pa urdhër ligjor, pa paralajmërim dhe në mungesë të bazës ligjore, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë dhe të paprecedentë të të drejtave kushtetuese. Sipas saj, përgjegjës politik për situatën është kryeministri aktual, Edi Rama, për të cilin rikujtohet se në vitin 2009 kishte bllokuar rrugë dhe qarkullimin në kryeqytet gjatë protestave të asaj kohe.

“Protesta paqësore është e drejtë kushtetuese dhe nuk mund të trajtohet si vepër penale. Përdorimi i forcës, procedimeve dhe arrestimeve për të shtypur reagimin është shenjë e qartë e frikës së pushtetit”, thuhet në reagim.

Thirrje për lirimin e protestuesve

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” kërkon lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe thekson se nuk do të tërhiqet nga protesta apo format e tjera të reagimit, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për një shtet demokratik dhe si një cenim të hapur të të drejtës kushtetuese për protestë.