December 13, 2025
.jpeg)
Protesta e përditshme e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë është shoqëruar edhe këtë të shtunë me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Ndërhyrja e policisë ka ardhur pas vendosjes së një gjeneratori për furnizim me energji elektrike, i cili do të përdorej për ndriçim dhe ngrohëse gjatë tubimit të njoftuar në orarin 17:00–20:00.
Forcat e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake kanë kërkuar heqjen e gjeneratorit dhe lirimin e hapësirës publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke pretenduar se ishte zaptuar trotuari. Ndërhyrja ka sjellë përplasje fizike mes efektivëve dhe qytetarëve të pranishëm, përfshirë edhe vetë Lapajn.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” deklaroi se për protestën janë depozituar çdo ditë shkresa zyrtare pranë Policisë së Shtetit dhe Bashkisësë Tiranës, ku janë kërkuar masat për mbarëvajtjen e tubimit, si dhe lidhja me energji elektrike, bazuar, sipas tij, në të drejtën kushtetuese për tubim paqësor.
Sipas Lapajt, gjeneratori ishte siguruar nga një emigrant shqiptar që jeton në Londër, si akt solidariteti ndaj protestës. Ai kundërshtoi çdo tentativë për sekuestrimin e tij dhe theksoi se protesta është e rregullt dhe në përputhje me ligjin.
“Ne kemi njoftuar institucionet për çdo hap. E drejta për të protestuar është kushtetuese dhe nuk kërkon leje, por vetëm njoftim. Pse subjekteve të tjera u lejohet vendosja e fonisë dhe energjisë elektrike në këtë bulevard, ndërsa neve jo?”, u shpreh Lapaj.
Prej disa ditësh, që nga data 8 dhjetor, aktivistët e“Shqipëria Bëhet” janë vendosur përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjene Edi Ramës dhe duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së përditshme.
Pavarësisht tensioneve të përsëritura, Lapaj dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se do të vijojnë protestën, duke theksuar se kërkesat e tyre janë të bazuara në ligj dhe në të drejtën themelore për tubim paqësor.
.jpeg)
.jpeg)

.jpeg)
.jpeg)