March 15, 2026

Drejtuesi I Qarkut Shkodër, Amel Pervizi: Paketa e Maleve është thikë pas shpine për çobanët

Image BD

Drejtuesi i Qarkut Shkodër, Amel Pervizi ka reaguar lidhur me debatin për të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, duke kritikuar qëndrimet e disa deputetëve që, sipas tij, pretendojnë të mbështesin çobanët ndërkohë që votojnë politika që i dëmtojnë ata.

Pervizi i referohet një deklarate të një deputeteje e cila ka përdorur shprehjen “Make çobani cool again”, duke e cilësuar këtë si një kontradiktë me mbështetjen që, sipas tij, i jepet politikave të qeverisë përmes votës në parlament.

Sipas tij, “Paketa e Maleve” në praktikë i jep përparësi investitorëve strategjikë në zonat malore, duke rrezikuar të kufizojë përdorimin tradicional të kullotave nga banorët që jetojnë dhe punojnë prej brezash në këto zona.

Si shembull, Pervizi përmend rastin e Pogradec, ku një aktivist i ri u arrestua gjatë një proteste për mbrojtjen e kullotave. Ndërkohë, sipas tij, këshilli bashkiak kishte vendosur që këto zona t’u jepeshin investitorëve për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.

Ai shton gjithashtu se, sipas të dhënave të tenderave publikë, në zona të ndryshme të vendit po jepen hapësira të reja për projekte të ngjashme, gjë që sipas tij rrezikon t’u heqë banorëve mundësinë për të shfrytëzuar kullotat si më parë.

Në reagimin e tij, Pervizi thekson se mbështetja reale për çobanët dhe komunitetet malore duhet të reflektohet në politika që mbrojnë interesat e tyre dhe jo në slogane simbolike.