March 12, 2026
.jpeg)
Pas më shumë se tre muajsh protestë të vazhdueshme përpara godinës së Kryeministrisë, janë shënuar përsëri tensione mes aktivistëve të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Pas vendimit të Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal lidhur me protestën e mëparshme, konkretisht për protetën e datës 5 Janar, dhe për kthimin e materialeve të sekuestruara, aktivistët me datën 6 mars, rivendosën në shesh materialet e protestës dhe ngritën një çadër përpara Kryeministrisë.

Megjithatë, menjëherë pas vendosjes së saj, në zonë ndërhynë forca të shumta policie, të cilat hoqën çadrën dhe sekuestruan sërish materialet e përdorura nga protestuesit, përfshirë karriget, pankartat dhe elementë të tjerë të protestës.
Në të njëjtën kohë, Policia e Tiranës bëri të ditur se ka nisur procedim penal ndaj kryetarit të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, si dhe ndaj dy aktivistëve të tjerë të lëvizjes, Ardit Boo dhe Edison Haklaj, me akuzat “pushtim toke”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “prishje e qetësisë publike”. Aktivistët e cilësuan të jashtëligjshëm procedimin penal, jo vetëm se binte ndesh me vendimin e Prokurorisë, por dhe sepse një nga personat e proceduar nuk ka qenë as prezent në protestë, e as organizator i saj.
Ndërhyrjet e policisë vijuan sërish në datën 8 mars, ku efektivët morën përsëri materialet që protestuesit kishin vendosur për të vazhduar qëndrimin e tyre përpara Kryeministrisë.
Në mënyrë të dhunshme, forcat e policisë së shtetit, shoqëruan një nga aktivistët që po protestonte në mënyrë paqësore para Kryeministrisë, Mirel Pinarin.
Kjo solli zhvendosjen për pak orë të protestës, para Komisariatit nr.1 në kryeqytet, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm i aktivistit. Dhe aty nuk munguan tensionet, pasi efektivët e Policisë së Shtetit nuk lejuan avokaten Dorina Prethi të hynte brenda në Komisariat, pavarësisht identifikimit të saj si përfaqësuese ligjore.
.jpeg)
Pas këmbenguljes së protestuesve para Komisariatit, dhe ndërhyrjes së avokatëve Elton Laska dhe Dorina Prethi, aktivisti u lirua, dhe i gjithë grupi u rikthye në sheshin e protestës para Kryeministrisë.
Një ditë më vonë, mediat lajmëruan sërish për procedimin penal, për të njejtët emra dhe të njëjtat vepra penale si në protestën e datës 8 Mars.
Edhe në datën 12 Mars, protestuesit nuk u lejuan të mbanin mjetet e protestës. Një banderolë ku shkruhej ‘Edi Rama, o Hajdut’, karriget e protestës, dhe çadrat simbolike, ku shkruhej ‘ Merrni Belindën, jo çadrat’ u kthyen në shqetësim për Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, që ndërhynë dhunshëm për sekuestrimin e të gjitha objekteve të protestës.
Protestuesit këmbëngulën në mbajtjen e karrigeve, si mjete personale, por u hasën në sjellje agresive të uniformave të Policisë, që solli dhe dëmtime fizike të protestueve.
Edhe për këtë protestë, pavarësishtse në kundërshtim me vendimin e Prokurorisë, u proceduan sërish penalisht tre protestues, Adriatik Lapaj, Ardit Boo, dhe Edona Haklaj, për veprat penale me akuzat “pushtim toke”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “prishje e qetësisë publike”.
Aktivistët kanë deklaruar se, pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura dhe sekuestrimit të materialeve të protestës, do të vazhdojnë qëndrimin e tyre në bulevard, duke e konsideruar protestën një të drejtë kushtetuese dhe një formë të ligjshme për të ngritur zërin kundër abuzimit me pushtetin.
Sipas tyre, qëndresa përpara Kryeministrisë është një akt simbolik që synon të mbajë gjallë reagimin qytetar dhe të denoncojë publikisht problematikat që lidhen me keqqeverisjen dhe përgjegjësinë politike në vend.
.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)