June 17, 2026

Shqipëria Bëhet zhvillon takim me International IDEA

Image BD

Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' zhvilloi një takim me delegacionin e organizatës ndërqeveritare International IDEA, në kuadër të fazës fillestare të projektit për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Delegacioni i International IDEA përbëhej nga z. Jonathan Murphy, drejtor i Programit për Pjesëmarrjen dhe Përfaqësimin Politik, znj. Andrea Wolfte, eksperte e lartë për Partneritet dhe Monitorim & Vlerësim, si dhe znj. Blerta Hoxha, menaxhere e Programit për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e 'Shqipëria Bëhet', kryetari  Adriatik Lapaj dhe sekretari organizativ, Erion Muska, paraqitën një panoramë të situatës politike në vend, duke ndarë shqetësimet mbi sfidat që shoqëria shqiptare vazhdon të përballet në përpjekjen për të ndërtuar një shtet funksional, të bazuar në meritokraci, barazi para ligjit dhe institucione të pavarura.

Përfaqësuesit tanë informuan delegacionin e International IDEA mbi protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar atë si një reagim legjitim dhe demokratik të qytetarëve ndaj padrejtësive, korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies që kanë karakterizuar 36 vitet e tranzicionit shqiptar.
Gjithashtu, u prezantuan nismat konkrete të Lëvizjes Shqipëria Bëhet për forcimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe zgjerimin e rolit të qytetarëve në vendimmarrje. Në këtë kuadër u diskutua nisma qytetare që mundësoi për herë të parë votimin e diasporës shqiptare, si rezultat i angazhimit për mbledhjen e mijëra firmave dhe presionit institucional për garantimin e një të drejte themelore demokratike.
Po ashtu, delegacioni u informua mbi fushatën kombëtare për mbledhjen e 100 mijë firmave, me synim zhvillimin e një referendumi popullor për shfuqizimin e paketës së ashtuquajtur të "maleve" dhe ligjeve që lidhen me statusin e investitorëve strategjikë, duke i rikthyer qytetarëve të drejtën për të vendosur mbi pasuritë publike dhe territorin e vendit.

Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' vlerëson rëndësinë e dialogut me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat që kontribuojnë në forcimin e institucioneve demokratike.