May 30, 2026

Shqipëria Bëhet nis nismën për referendum kundër Paketës së Maleve dhe ligjit për Investimet Strategjike

Image BD

Lëvizja Shqipëria Bëhet ka nisur zyrtarisht procesin e mbledhjes së firmave për organizimin e një referendumi popullor me synimin për shfuqizimin e ligjit "Për Investimet Strategjike" dhe ligjit të njohur si "Paketa e Maleve".

Nisma parashikon mbledhjen e 50 mijë firmave për secilin prej dy ligjeve, ose 100 mijë firmave në total, në përputhje me procedurat ligjore që mundësojnë zhvillimin e një referendumi. Konkretisht, synohet mbledhja e 50 mijë firmave për shfuqizimin me referendum të ligjit "Për Investimet Strategjike" dhe 50 mijë firmave për shfuqizimin e ligjit "Për Paketën e Maleve", duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehen drejtpërdrejt përmes votës së tyre.

Aksioni ka nisur në Sheshin Skënderbej, ku qytetarë të shumtë kanë firmosur në mbështetje të kësaj iniciative. Gjatë ditëve në vijim, procesi i mbledhjes së firmave do të shtrihet në të gjithë vendin, duke u dhënë mundësi qytetarëve të kontribuojnë në këtë nismë.

Pas përfundimit të procesit të mbledhjes, firmat do t'i dorëzohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa më pas do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi pranë Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që këto dy çështje t'i nënshtrohen vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve përmes referendumit.

Shqipëria Bëhet vlerëson se çështje që lidhen me pronën, territorin dhe interesin publik duhet të vendosen nga vetë qytetarët. Për këtë arsye, lëvizja fton çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, t'i bashkohet kësaj nisme demokratike, të firmosë për referendumin dhe të kontribuojë në mbrojtjen e pronës, tokës dhe interesit publik.