February 21, 2025

“Shqipëria Bëhet” takim me diasporën në Heraklion

Image BD

Këtë të shtunë, më datë 22 shkurt 2025, "Lëvizja Shqipëria Bëhet", zhvilloi takimin e radhës në Heraklion të Kretës, ku morën pjesë komuniteti shqiptar atje dhe një pjesë nga bashkëthemeluesit e lëvizjes. Ky eveniment, i cili u zhvillua në orën 18:00, pati në qendër të diskutimeve disa nga pikat e programit që synon partia, të cilat u shpalosën nga drejtuesi Adriatik Lapaj, si dhe anëtarët e tjerë të ekipit, Najada Kambo, Arjan Konomi, Ergys Llanaj, Fioralba Dervishi dhe Erion Muska.

Fjalën e hapi Ergys Llanaj, i cili prezantoi pikat kryesore të sistemit të sigurisë në Shqipëri. Ai theksoi se në programin e partisë "Lëvizja Shqipëria Bëhet", një nga prioritetet kryesore është modernizimi i Forcave të Armatosura.

"Synojmë që ushtrinë tonë ta transformojmë, nga një ushtri që qëndron nëpër kazermat e saj, në një ushtri që është në funksion total të shtetit dhe kombit tonë. Nëse një ditë do të na bekoni me pushtet, ne kemi në program një pikë ku synojmë që të ndërtojmë infrastruktura reale për Forcat e Armatosura, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve rurale, argjinaturave mbrojtëse dhe pastrimin e kanaleve të kullimit. Forcat e Armatosura do të mirëmbahen me mjete mbrojtëse nga Buxheti i Shtetit, ndërsa ndihmën për ndihmat emergjente dhe lëndët djegëse do t’i mbulojnë Njësitë Administrative, ku do të kryhen punimet", u shpreh Llanaj.

Më pas, fjalën e mori inxhineria e software, Najada Kambo, e cila prezantoi angazhimet e partisë për përmirësimine kushteve ekonomike dhe sociale në Shqipëri, përfshirë edhe rritjen e pensioneve.

"Nëse ju na mbështesni, ne zotohemi që në kushtet kur pensioni minimal në Shqipëri është 70 Euro, asnjë pension apo ndihmë ekonomike nuk do të jetë më pak se 200 Euro. Kjo nuk është thjesht një shifër, është një nevojë. Dinjiteti i çdo qytetari do të mbrohet. Pensionet nën 200 Euro do të rriten menjëherë në këtë shifër, ndërsa pensionet mbi 200 Euro do të rriten çdo vit me 25 Euro gjatë katër viteve të ardhshme", u shpreh Kambo.

Ndërkaq, Sekretari Organizativ i Lëvizjes, Erion Muska, mori fjalën dhe shpjegoi  procesin e rëndësishëm për regjistrimin e diasporës për të marrë pjesë në procesin e votimit për zgjedhjet e 11 Majit.

"Më lejoni t’ju shpjegoj procesin tejet të rëndësishëm të regjistrimit për votën e diasporës, që ka nisur që nga 11 janari. Kujdes, ky proces përfundon pas pak ditësh, më 4 mars, prandaj sigurohuni të njoftoni çdo person, miq, familjarë,dhe ata me të cilët punoni, në mënyrë që të japim fund njëherë e mirë këtij sistemi të korruptuar. Secili duhet të regjistrohet individualisht në portalin qeveritar, duke plotësuar të dhënat si emri, mbiemri, numri i telefonit dhe adresa e banimit. Për një familje prej katër personash, secili duhet të regjistrohet individualisht. Pasi të përfundoni hapat e regjistrimit, do të merrni një njoftim nëse kërkesa juaj është pranuar ose jo. Duhet të prisni kodin unik që do t'ju vijë në email ose në numrin e telefonit. Nëse nuk e merrni menjëherë, ju lutem bëni durim dhe aplikoni sërish. Mos u dorëzoni! Drejtohuni në adresën tonë zyrtare në faqen www.shqiperiabehet.al, ku kemi ngritur një kanal komunikimi në WhatsApp, ku mund të kërkoni asistencë nga djemtë dhe vajzat tona, 24 orë në 24", sqaroi Muska.

Gazetari Arjan Konomi theksoi se Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, duke nënvizuar se duhet të angazhohen të rinjtë, profesionistët e rinj dhe individë të shkëlqyer në fushat e tyre, të cilët mund të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë

"Jemi të gjithë para një fakti të qartë: Shqipërisë i duhet një frymë e re, i duhen njerëz të rinj, profesionistë të rinj, djem dhe vajza të rinj, që ndoshta nuk janë të famshëm, por janë të shkëlqyer në aspekte të tjera. Unë, gjatë një viti rrugëtimi që kemi bërë me ekipin e 'Shqipëria Behet', i kam parë dhe njohur nga afër, dhe ju siguroj dhe ju garantoj që ata janë njerëz të ndershëm që kanë për të dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Dëgjoni, informohuni, arsyetoni, flisni me miqtë tuaj dhe në fund vendosni të votoni ashtu siç dëshironi", tha Konomi.

Në fund, takimin e mbylli kreu i Lëvizjes, avokati Adriatik Lapaj,i cili theksoi rëndësinë e jetesës në vende ku individët kanë mundësi të shprehin mendimet e tyre lirshëm, pa pasur frikë nga ndëshkimi, dhe theksoi se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë të motivuar dhe të bindur për të kontribuar në ndryshimin e Shqipërisë.

Ai shprehu krenarinë për diasporën që përfaqëson kombin shqiptar dhe theksoi se tre shtyllat kryesore për ndërtimin e shtetit shqiptar janë arsimi, ekonomia dhe siguria.

“Ju  mirë ose keq jetoni në vende ku edhe nëse mendoni dhe shpreheni ndryshe, nuk ju vjen njeri tek biznesi që t'ju mbylli, jetoni në vende ku edhe pse mendoni ndryshe, nuk ju vinë të fortë për t'ju kërcënuar njeri me bukën e gojës, vendin e punës, me pensionin e invaliditetit. Për këtë arsye, e kisha bindje që shqiptarët që jetojnë të lirë jashtë Shqipërisë, do të bëjnë çmos për ta ndryshuar Atdheun e tyre. Jeni krenari që përfaqësoni kombin tonë këtu dhe jeni nga pjesa më e nderuar e shoqërisë shqiptare. Arsimi, një; ekonomia, dy; siguria, tre, janë tre shtyllat tona kryesore për shtetndërtimin shqiptar. Prandaj, unë me përulje ju them, mos u dekurajoni. Forca përpara për ta çarë sistemin! Kjo është rruga e shqiptarëve për ndryshim”, tha Lapaj.