February 19, 2025

BEFASON LAÇI, MBËSHTETJE MASIVE PËR ‘SHQIPËRIA BËHET’

Image BD

Më 19 shkurt 2025, në Pallatin e Kulturës në Laç, qindra banorë të Laçit dhe zonave perreth, shprehën mbështetjen e tyre për ekipin e ‘Shqipëria Bëhet’, duke formalizuar kështu dhe strukturat e ekipit në këtë qark.  

Mësuesja Aida Skeja, në fjalën e saj të hyrjes prezantoi përfaqësuesit e ekipit të Laçit.

Sekretari i Përgjithshëm, Elton Laska, shprehu shqetësimin për transformimin e qytetit nga një qendër industriale me fabrika dhe uzina, në një zonë pa gjallëri, ku qytetarët përballen me mungesë punësimi dhe shërbimesh. Ai kritikoi mbylljen e institucioneve si gjykata, prokuroria dhe kadastra, duke theksuar se këto veprime kanë ndikuar negativisht në jetën e komunitetit lokal. Laska prezantoi gjithashtu disa nga prioritetet e “Shqipëria Bëhet” për Kurbinin.

Laska theksoi se për realizimin e këtyre objektivave është thelbësore mbështetja e qytetarëve dhe angazhimi i tyre aktiv në proceset demokratike.

Adriatik Lapaj, kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, prezantoi prioritetet kryesore të programit të tij. Ai theksoi angazhimin për dyfishimine pagave të mësuesve brenda katër viteve të ardhshme dhe për reforma të thella në administratë, arsim dhe legjislacion. Lapaj nënvizoi rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve dhe fuqizimin e diasporës, duke kërkuar gjithashtu ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Ai deklaroi: “Nëse ne do ia dalim, do të thotë se fëmijët tuaj nesër do ia dalin. Kjo është rruga e shqiptarëve për të çarë sistemin.”

Fjalën gjatë takimit e mbajtën dhe: Pedagogu dhe Inxhinieri Erjon Selmani, Avokatja Dorina Prethi, Gjenerali Ded Prenga, sipërmarrësi Artur Makeshdedaj, si dhe anëtarët e strukturave të Laçit dhe Kurbinit.