July 10, 2026

Shqipëria Bëhet i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Aktit Normativ për financimin e koncertit të Kanye West

Image BD

Lëvizja Shqipëria Bëhet ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, përmes të cilit Këshilli i Ministrave ka akorduar fondin prej 400 000 000 lekësh për financimin e pjesshëm të organizimit të koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë.

Në kërkesën e paraqitur pranë Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Shqipëria Bëhet kërkon pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij Akti Normativ deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Sipas kërkesës së depozituar, përdorimi i instrumentit të aktit normativ për financimin e një aktiviteti të tillë ngre çështje mbi përputhshmërinë e tij me kriteret kushtetuese, pasi një akt normativ duhet të përcaktojë norma të përgjithshme dhe të lidhet me situata që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Në kërkesën e saj, Lëvizja Shqipëria Bëhet ka parashtruar:

1. Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

2. Shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

3. Në rast se, brenda afatit 45-ditor të parashikuar nga neni 101 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Akti Normativ miratohet nga Kuvendi, kërkojmë edhe shfuqizimin e ligjit miratues, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, deklaroi se vendimmarrja për financimin e një aktiviteti privat me fonde publike përbën një çështje që kërkon shqyrtim kushtetues, duke ngritur shqetësime mbi përdorimin e taksave të qytetarëve dhe mënyrën e arsyetimit të këtij vendimi nga ana e qeverisë.

Sipas Lapajt, Akti Normativ nuk argumenton nevojën dhe urgjencën që justifikon përdorimin e këtij instrumenti ligjor, ndërsa aktiviteti për të cilin është miratuar financimi ishte bërë publik më herët dhe nuk përbënte një situatë të paparashikuar.

Shqipëria Bëhet shprehet se do të vijojë të përdorë çdo mjet ligjor për mbrojtjen e Kushtetutës, shtetit të së drejtës dhe interesit publik, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjshmëri në administrimin e fondeve publike.