March 1, 2026

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, zhvilloi protestën e saj të pestë kombëtare para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar qëndresën qytetare kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Mes pankartave dhe thirrjeve për largimin e kryeministrit Edi Rama, qindra qytetarë iu bashkuan protestës për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe rikthimin e pushtetit te qytetarët. Protesta nisi me fjalën e aktivistit Flamur Balaj nga Durrësi, si dhe vazhdoi me fjalën e nënkryetares së partisë, nënkryetarja e partisë Dorina Prethi, e cila vuri theksin te bashkimi qytetar përballë padrejtësive. Inxhinier Erjon Selmani vuri në dukje gjatë fjalës së tij problematikat e mëdha në rrugë, duke vënë në pikëpyetje investimet që janë bërë dhe paratë publike që janë vjedhur. Në mbështetje të banorëve të Rrjollit, fjalën e mbajti edhe Merita Bekteshi nga Shkodra, duke theksuar se protestat duhet të sjellin bashkim kauzash përballë Kryeministrisë. Të tjerë qytetarë ndanë shqetësimet e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.
Thirrje kundër korrupsionit dhe abuzimeve
Në fjalën e tij para protestuesve, Adriatik Lapaj denoncoi atë që e cilësoi si abuzim sistematik me fondet publike, duke ndalur veçanërisht te infrastruktura rrugore dhe menaxhimi i saj. Ai theksoi se qytetarët nuk mund të qëndrojnë më në heshtje përballë aferave që, sipas tij, cenojnë mirëqenien, shëndetin dhe të ardhmen e vendit.
“Ne kemi vendosur të mos heshtim. Të qëndrojmë dhe të përballemi me një sistem që vjedh ëndrrat, paratë dhe shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Lapaj gjatë fjalës së tij.
Kërkesa për Ligjin e Referendumit
Në qendër të protestës ishte kërkesa për miratimin e Ligjit për Referendumin, si një mekanizëm demokratik që garanton kontrollin e drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi pushtetin ekzekutiv.
Lapaj theksoi se vendosja me ligj e referendumit do t’i jepte popullit fjalën e fundit në raste kur qeverisja devijon nga interesat publike, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për kufizimin e çdo forme autokracie.
Sipas tij, përveç referendumit, është e domosdoshme edhe reforma e ligjit zgjedhor për të hapur garën dhe për të rikthyer përfaqësimin real qytetar.
Qëndresë e pandërprerë
Në përfundim të protestës, Adriatik Lapaj ripërsëriti thirrjen për mobilizim qytetar dhe qëndresë pa kompromis ndaj korrupsionit. Ai theksoi se ndryshimi vjen nga individët që zgjedhin të mos dorëzohen dhe të përballen me padrejtësinë.
Pas mbylljes së tubimit, ai vijoi qëndrimin e tij të pandërprerë para Kryeministrisë, një protestë simbolike që vazhdon prej afro tre muajsh, si shenjë e vendosmërisë për të mos u tërhequr deri në realizimin e kërkesave të parashtruara.















