April 20, 2026
Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka bërë të ditur se është përgatitur një kallëzim penal që do të depozitohet në SPAK, lidhur me keqadministrimin e sektorit të naftës në Shqipëri.
Përmes një video reagimi në rrjete sociale, Lapaj tregon se kallëzimi përfshin prova dhe fakte që synojnë të nxisin hetime të plota mbi mënyrën se si është menaxhuar kjo pasuri natyrore ndër vite.
Sipas kreut të 'Shqipëria Bëhet' ndërkohë që në vend raportohen derdhje të konsiderueshme të naftës në mjedis, qytetarët shqiptarë përballen me çmime ndër më të lartat në rajon dhe në botë.
Nga të dhënat e siguruara përmes komunikimeve me Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore, rezulton se gjatë periudhës 2004–2023 janë nxjerrë nga koncesionarët privatë rreth 15,054,451 ton naftë bruto. Ndërkohë, vetëm për vitet 2023–2024 janë prodhuar mbi 1.2 milion ton të tjera – thotë Lapaj në video reagim.
Në materialin e publikuar ngrihet shqetësimi se gjatë kësaj periudhe, miliona ton naftë janë derdhur në lumenj dhe përrenj, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të tokës dhe mjedisit detar.
“Kjo është një situatë që duhet të marrë fund dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë,” -shprehet Lapaj.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” paralajmëron se kallëzimi penal synon të vendosë përgjegjësi ligjore për çdo shkelje të mundshme dhe të sjellë transparencë në menaxhimin e burimeve natyrore të vendit.