April 14, 2026
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar me tone ironike ndaj politikave të qeverisë në sektorin e bujqësisë, duke vënë në shënjestër kryeministrin Edi Rama.
“Ah, more Edi Rama! Erdhi koha që të kushtojë kilja e domates, sa kilja e biftekut, që hanin ministrat e tu në Dubai. Po po, erdhi kjo kohë!”
Në një video reagim të publikuar, Lapaj vijoi duke theksuar se rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e mbështetjes për fermerët:
“Ne i kemi çmimet të shtrenjta për frutat dhe perimet, pasi qeveria e Edi Ramës jep 0 lekë subvencione për fermerët. 0 lekë dëmshpërblime për përmbytjet. 0 lekë subvencione për naftën, duke i detyruar fermerët të paguajnë një nga çmimet më të shtrenjta në rajon, si dhe 0 lekë mbështetje për çmimet e farave dhe plehrave.”
Sipas Lapajt, pavarësisht këtyre kushteve, fermerët vazhdojnë të mbajnë në këmbë prodhimin vendas:
“Por, ende fermerët në këtë vend, vazhdojnë të kultivojnë produkte të shkëlqyera, të cilat vijnë në tavolinën tuaj, me çmime të shtrenjta, jo për faj të tyre.”
Në postimin e tij, Adriatik Lapaj, jep dhe propozimet e Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet' për sektorin e bujqësisë:
Programi ynë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin dhe bletarinë jep zgjidhje përmes:
1. Subvencionimit për kilogram prodhimi;
2. Hapjes së Bankës Kombëtare Agrare me kapital 100% shetëror për dhënien e kredive të buta;
3. Vendosjen në kontroll të plotë të cilësisë së plehrave, farave dhe fidanëve.
4. Miratimin e ligjit "Për sigurimin e rrezikut nga faktorët natyror për fermerëve, blegtorët, bletarët dhe peshkatarët".