April 27, 2026

Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' projektligj në Kuvend për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore

Image BD

Lëvizja 'Shqipëria Bëhet'  ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, nëpërmjet deputetes Ana Dajko, një projektligj të ri, i cili synon heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet bazë ushqimore. Kjo nismë vjen si pjesë e angazhimit të Shqipëria Bëhet për të ulur koston e jetesës dhe për të mbështetur familjet shqiptare.

Sipas propozimit, nga TVSH do të përjashtohen një sërë produktesh të domosdoshme për jetesën e përditshme, përfshirë bukën, miellin, vajin, orizin, makaronat, si dhe produkte të tjera të shportës bazë si qumështi, mishi, peshku, frutat dhe perimet. Aktualisht, këto produkte tatohen me një normë prej 20%, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
Në projektligj theksohet se kjo masë është e domosdoshme në kushtet kur kostot e jetesës mbeten të larta dhe rëndojnë mbi buxhetin e familjeve shqiptare.
Përmes këtij propozimi, synohet jo vetëm ulja e çmimeve për konsumatorët, por edhe krijimi i një klime më të favorshme ekonomike, ku qytetarët dhe bizneset përfitojnë nga politika fiskale më të lehta dhe më të drejta.

Projektligji pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, ku do të vendoset nëse do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar. Kjo nismë përfaqëson një hap konkret të Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet' drejt politikave sociale që synojnë mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve dhe garantimin e aksesit më të përballueshëm në produktet bazë ushqimore.