April 26, 2026

Të dielën e 26 prillit, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” zhvilloi mbledhjen e Këshillit Kombëtar Tranzitor, organi kryesor që do të udhëheqë lëvizjen në fazën e strukturimit të plotë të saj.
Punimet e Këshillit u drejtuan nga kryesia ekzekutive: Kryetari i partisë, Adriatik Lapaj, Nënkryetarja Dorina Prethi, Sekretari i Përgjithshëm Elton Laska, Sekretari Organizativ Erion Muska, si dhe anëtarët e kryesisë Ervis Cela dhe Greta Ambeli. Në panel mori pjesë gjithashtu edhe sekretari i strukturimit për Gjermaninë, Eduart Kaca.
Takimi u moderua nga Greta Ambeli, e cila prezantoi qëllimin kryesor të mbledhjes: formimin e Këshillit Kombëtar Tranzitor si struktura udhëheqëse që do të orientojë organizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të lëvizjes.
Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm Elton Laska theksoi rëndësinë e demokracisë së brendshme, duke deklaruar: “Nëse një parti nuk ka demokraci të brendshme, nuk mund të qeverisë në mënyrë demokratike në të ardhmen.”
Anëtari i kryesisë, Ervis Cela, u ndal te pjesëmarrja e lëvizjes në zgjedhje, duke u shprehur: “Ne morëm pjesë në zgjedhje, provuam mbështetjen tonë, qëndruam fort dhe nuk u lëkundëm nga parimet tona, duke arritur të marrim rreth 80 mijë vota.”
Sekretari organizativ, Erion Muska, theksoi rolin e strukturës dhe njerëzve në forcimin e lëvizjes, duke deklaruar: “Fuqia jonë është rregulli, struktura dhe njerëzit. Fuqia jonë jeni ju.”
Nga ana e saj, nënkryetarja Dorina Prethi njoftoi krijimin e një bordi të posaçëm për forumin e gruas, duke theksuar angazhimin për ta kthyer atë në një model të suksesshëm brenda lëvizjes.
Eduart Kaca, sekretar i strukturimit për Gjermaninë, ndau një mesazh personal, duke u shprehur: “Kam ende dy detyra të mëdha në jetën time: të përgatis fëmijën tim për jetën dhe të kontribuoj në Lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’, që Shqipëria, atdheu ynë i dashur, të bëhet me të vërtetë.”
Në përmbyllje të diskutimeve, kryetari Adriatik Lapaj theksoi nevojën për ndryshim, duke deklaruar: “Është koha të ndalet babëzia për pushtet dhe të ndalet vjedhja e atdheut ‘me ligj’.”
Gjatë mbledhjes u zhvillua edhe procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar Tranzitor. Në këtë detyrë u zgjodh Gjeneral Ded Prenga, i cili do të luajë një rol kyç në drejtimin e strukturave në këtë fazë të rëndësishme organizative.
Po ashtu, Këshilli miratoi disa vendime të rëndësishme me votë. U autorizua ekipi drejtues për të nisur procedurat pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sigurimin e formularëve të nevojshëm, me qëllim mbledhjen e 50 mijë firmave për secilin ligj, për zhvillimin e një referendumi kombëtar. Ky referendum synon shfuqizimin e Ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”.
Gjithashtu Këshilli autorizoi drejtuesit e lëvizjes të bashkërendojnë veprimet me partitë e tjera të spektrit opozitar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Propozimi përfshin një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, një zonë zgjedhore dhe 140 deputetë.
Pas votimit, Adriatik Lapaj shpalli nisjen e nismës për referendum kombëtar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend: “Fjalët i merr era, është koha për vepra. Kjo është një detyrë kombëtare dhe një thirrje për çdo qytetar që të bëhet pjesë e këtij procesi.”
Ai theksoi gjithashtu se synimi është i qartë: “Kjo nismë synon t’u japë qytetarëve të drejtën për të vendosur drejtpërdrejt mbi çështje që prekin pasuritë publike dhe private të vendit.”
Në përfundim, Lapaj paralajmëroi nisjen e një fushate të gjerë në terren: “Ne do të jemi në rrugët e atdheut për të kërkuar mbështetjen e qytetarëve për zhvillimin e këtij referendumi.”
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e konsideron themelimin e Këshillit Kombëtar Tranzitor dhe nisjen e kësaj nisme si hapa të rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të qytetarëve në vendimmarrje dhe mbrojtjes së interesit publik përmes mekanizmave demokratikë.






