February 27, 2026

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” u përfaqësua në një takim të rëndësishëm pune me delegacionin e Partive Popullore Europiane (EPP) nga:
• Adriatik Lapaj – Kryetar
• Elton Laska – Sekretar i Përgjithshëm
• Erjon Bacaj – Drejtues i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
• Lindita Begolli – Anëtare e Kryesisë
Gjatë këtij takimi, delegacioni ynë paraqiti me fakte dhe argumente konkrete realitetin e zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke evidentuar deformimet serioze të shkaktuara nga dy partitë e vjetra përmes Kodit Zgjedhor, si dhe korrupsionin që ka kapur qeverisjen në nivelet më të larta.
Gjatë fjalës sonë, theksuam se këto fenomene kanë dëmtuar rëndë standardet demokratike dhe kanë minuar besimin e qytetarëve tek institucionet e vendit.
Në këtë kontekst, morëm mbështetje të plotë për qëndresën tonë qytetare përmes protestave të pandërprera, si një formë legjitime e reagimit demokratik.
Njëkohësisht, kërkuam nga partnerët tanë europianë që të angazhohen aktivisht si promotorë të një presioni të fortë ndërkombëtar ndaj qeverisë, me qëllim hapjen e rrugës për dorëheqje dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

