December 5, 2024
Qindra banorë të Shkodrës mikpritën ekipin e 'Shqipëria Bëhet' në bashkëbisedimin e radhës.
Ekipi ndau me ta pikat e programit, duke kthyer përgjigje dhe në hapësirën e dedikuar të bashkëbisedimit.
Redinela Beqiraj nga ekipi qendror, prezantoi reformat për pronën që përfshihen në programin e 'Shqipëria Bëhet'.
1. Transformimin e Kadastrës – 80% e kompetencave kalojnë te noterët, duke siguruar certifikatën e pronësisë menjëherë.
2. Përfundimin e legalizimeve – Brenda 6 muajve nga ardhja në pushtet.
3. Kthimin dhe kompensimin e pronave – Brenda 24 muajve të parë, me formula të drejta dhe transparente.
4. Shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike – Derisa të përfundojë procesi i kthimit dhe kompensimit.
5. Kthimin e tokës aty ku ka qenë ose kompensim financiar në 10 këste.
6. Heqjen e kufizimeve për aplikimet nga ish-pronarët, duke garantuar se e drejta e pronës nuk mund të kufizohet në kohë.
Erjon Selmani, theksoi lidhjen e tij personale me Shkodrën, duke vlerësuar kontributin e saj historik në art, kulturë dhe atdhetari. Selmani shprehu shqetësimin për rritjen e kriminalitetit dhe dështimin e institucioneve për ta luftuar atë, duke kritikuar lënien pas dore të qytetit në investime dhe zhvillim.
Sipas tij, Shkodra ka paguar çmimin më të lartë në historinë e vendit, nga diktatura deri te demokracia e sotme që ka zhveshur qytetin nga dinjiteti dhe fuqia.
Ndërsa Dorina Prethi theksoi se brezi i saj është rritur me mësime mbi ndershmërinë, punën dhe drejtësinë, por realiteti ka treguar të kundërtën: të pashkolluarit promovohen, dembelët pasurohen dhe e vërteta harrohet. Prethi duke cituar Viktor Frankl, theksoi rëndësinë e lirisë për të zgjedhur sjelljen dhe përgjegjësinë tonë kolektive për degradimin shoqëror dhe politik. ë
Prethi argumentoi se “Shqipëria Bëhet” mbështetet mbi parimet e djathta – tregu i lirë, familja, prona dhe tradita – si shtyllat e zhvillimit dhe luftës kundër varfërisë e korrupsionit.
Etleva Merko, prezantoi disa zgjidhje konkrete që “Shqipëria Bëhet” ofron për arsimin:
1. Investim në Arsim – Rritje të buxhetit për arsimin deri në 7% të PBB deri në fund të mandatit të parë.
2. – Shkolla do të zgjasë deri në orën 17:00, duke përfshirë ushqim dhe ndihmë për detyrat.
3. Rritje e Pagave të Mësuesve – 25% çdo vit gjatë mandatit të parë, duke dyfishuar pagën deri në fund.
4. Përdorim i Burimeve Natyrore – 10% e fitimeve nga burimet natyrore do t’u kthehen bashkive për ndërtimin e institucioneve arsimore dhe mbështetje të studentëve.
Merko theksoi se investimi në arsim është investim në të ardhmen.
Ndërsa Amel Pervizi, nga Shkodra shprehu shqetësimin për braktisjen e Shkodrës nga një klasë politike që ka lënë qytetin në harresë. Pervizi ndau përvojën personale të përcjelljes së një miku për në Gjermani, duke ngritur pyetjen tronditëse: “A do të humbasim të gjithë të rinjtë tanë?”
Pervizi ftoi qytetarët të marrin të ardhmen në duart e tyre, duke i rikthyer Shkodrës dinjitetin dhe duke refuzuar të jenë qytetarë të dorës së dytë. “Ky është momenti për të vepruar! Së bashku, mund të ndërtojmë një Shkodër dhe një Shqipëri normale,” përfundoi ai.
Ish-gjenerali Ded Prenga mbajti një fjalim motivues, ku theksoi rëndësinë e bashkimit për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin e humbur të Shqipërisë. Ai e cilësoi lëvizjen “Shqipëria Bëhet” si një alternativë të re për të gjithë shqiptarët.
Prenga përmendi arritjet e lëvizjes, si realizimin e votës për diasporën, dhe kritikoi pengesat e sistemit për të realizuar listat e hapura.
'Shqipëria mund dhe do të bëhet,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për angazhim dhe mbështetje.
Arjan Konomi, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar dhe rolit të emigrantëve në ndryshimin e vendit. Ai përshëndeti mbështetjen e madhe të shkodranëve dhe ndau një histori nga Toronto, ku një emigrant i tregoi sfidat e ndershmërisë në Shqipëri përballë lidhjeve me bandat.
Konomi vlerësoi votën e diasporës si një faktor të pandikuar nga manipulimi, duke i cilësuar emigrantët si një shpresë për të ardhmen.
Duke u shprehur optimist për lëvizjen, ai tha se “Shqipëria Bëhet” është e mbushur me të rinj profesionistë dhe të ndershëm, të aftë për të sfiduar politikat e vjetra dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe të zhvilluar. “Bashkohuni me ne për ndryshimin që Shqipëria ka nevojë!” përfundoi ai.
Edona Haklaj, falënderoi shkodranët për mikpritjen dhe ekipin për përkushtimin e tyre. Haklak kritikoi tarifat e larta rrugore, duke theksuar se shqiptarët po paguajnë më shumë për të lëvizur brenda vendit sesa jashtë tij.
Duke iu referuar statistikave të Eurostat, ajo theksoi se veriu i Shqipërisë është rajoni i dytë më i varfër në Europë, ndërsa qeveria vijon të rëndojë qytetarët me koncesione abuzive.
Haklak shpalosi programine 'Shqipëria Bëhet' për shfuqizimin e ligjeve të Partneritetit Publik-Privat (PPP) dhe për një model të ri koncesionesh, ku vendimet për kontrata mbi 25 vite do t’i takojnë qytetarëve përmes referendumeve.
Në fund fjalën e mori kreu i Lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili theksoi nevojën për një ndryshim rrënjësor në politikë, duke vënë theksin te ndershmëria dhe profesionalizmi i brezit të ri. Ai kritikoi klasën politike të 34 viteve të fundit për mungesën e alternativave dhe refuzimin e debatit mbi dështimet e saj.
Lapaj u ndal tek disa pika të programit të 'Shqipëria Bëhet':
Arsimi – Rritje e buxhetit për arsimin në 7% të PBB-së brenda mandatit të parë, shkolla me orar të zgjatur dhe kushte më të mira për nxënësit.
Ekonomia dhe biznesi – Përjashtim nga tatimi për fitimin për bizneset e vogla me xhiro deri në 200 milionë lekë, eliminimi i kontrolleve abuzive dhe formalizimi i tregut.
Burimet natyrore – 10% e fitimeve nga burimet natyrore do t’u kalojnë bashkive për investime lokale në shkolla, kopshte dhe infrastrukturë.
Shëndetësia – Reformim i sistemit me kontrata ortakërie për mjekët, duke i paguar sipas performancës për të garantuar shërbim cilësor.
Kadastre dhe infrastrukturë – Transferimi i kompetencave të Kadastrës te noterët për të përshpejtuar procesin e pronësisë.
Në përmbyllje, Lapaj bëri thirrje për angazhim të qytetarëve dhe theksoi se ndryshimi është i mundur vetëm me pjesëmarrje dhe mbështetje të fortë. “Forca Shkodra! Forca Shqipëria! Është koha për ndryshimin e madh!” përfundoi ai.