March 30, 2026

Çmimi i i lartë i karburantit, Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' denoncon diferencën me Kosovën dhe Maqedoninë

Image BD

Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 218 lekë për litër, pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, duke rënduar ndjeshëm kostot për qytetarët dhe bizneset.
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku krahason çmimet e karburanteve në Shqipëri me ato në vendet e rajonit. Sipas të dhënave nga terreni, ndërsa në Shqipëri nafta tregtohet me 218 lekë për litër, në Kosovë çmimi është rreth 1.67 euro (afërsisht 160 lekë për litër), duke evidentuar një diferencë të ndjeshme.
Në një tjetër reagim nga terreni, Lapaj sjell shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku çmimi i karburantit rezulton edhe më i ulët. “Sot jam në Shkup, pranë një pike karburanti. Çmimet në tabelë janë 92.5 denarë, ose rreth 145 lekë për litër”, shprehet ai, duke theksuar se diferenca me Shqipërinë është edhe më e madhe.
Sipas Lapajt, autoritetet shqiptare e justifikojnë çmimin e lartë me përfshirjen e taksës së qarkullimit, ndërkohë që në Kosovë kjo taksë është vetëm 40 euro në vit. Ai argumenton se kjo situatë tregon qartë se politikat fiskale në Shqipëri po rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët.

Lapaj sjell edhe një krahasim konkret: nëse një qytetar në Tiranë furnizon një automjet me depozitë 60 litra, ai paguan deri në 45 euro më shumë krahasuar me çmimet në rajon.
Përmes këtyre reagimeve, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” synon të ushtrojë presion mbi qeverinë për pezullimin ose uljen e taksave, në varësi të faktorëve që ndikojnë në rritjen e çmimit.