February 23, 2025

Në një qytet të largët të Kretës, në Chania, qindra shqiptarë u bënë bashkë për të pritur ekipin e ‘Shqipëria Bëhët’. Takimi u drejtua nga Kryetari i Partisë, Adriatik Lapaj, dhe nga një pjesë e anëtarëve të tjerë të ekipit, përfshirë Sekretarin Organizativ, Erion Muska, ekonomistin, Vasil Dajko, inxhineret software Najada Kambo dhe Anica Papadhima, publicistin, Arjan Konomi.
Fjalën e hapi inxhineria Anica Papadhima, e cila u shpreh me një ndjesi të veçantë për rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e Shqipërisë. Ajo theksoi se shqiptarët e shpërndarë në shumë vende, përfshirë edhe Greqinë, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përmes remitancave, përvojës dhe vlerave të sjella në atdhe.
"Si shumë shqiptarë, edhe unë kam familjarë të mi të shpërndarë në shumë vende, përfshirë edhe Greqinë, andaj sot flas me një ndjesi të veçantë, si dikush mes të vetëve. Ju keni mbështetur Shqipërinë në çdo formë të ndryshme, me remitanca që kanë ndihmuar ekonominë, me përvojën që keni sjellë, me vlerat tuaja që kanë bërë që komuniteti shqiptar të njihet e të respektohet kudo. Pa sakrificat dhe përpjekjet tuaja, Shqipëria nuk do ishte e njëjta sot. Prandaj jemi këtu sot për t'ju dëgjuar dhe për t'ju siguruar që zëri juaj do të dëgjohet më fortë dhe do të ketë ndikimin që meriton", u shpreh Papadhima.
Publicisti dhe gazetari Arjan Konomi, gjatë takimit bëri thirrje për mbështetjetë forcës politike, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, duke theksuar se ka mes saj shumë shqiptarë të angazhuar për një ndryshim të ri në politikë dhe mirëpret këdo që guxon të sfidojë sistemin aktual.
“Kaq shumë shqiptarë në këtë takim, sa më lejoni t'ju bëj një thirrje që të mbështesin një forcë të re politike e mbi të gjitha që të kenë dëshirën e madhe për një ndryshim të ri në politikë. Vendosa të lë median e ti bashkohem me mish e shpirt kësaj lëvizje që u nis me diasporën dhe me takimet për t'ju garantuar të drejtën e votës. Këtë e arriti Lëvizja “Shqipëria Bëhet” me punën e saj, me këmbënguljene saj. Ndaj ta gezoni dhe shpresoj që shumë nga ju që janë skeptikë ta besojnë edhe më fortë. Momenti është tani!”, tha Konomi.
Mjekja stomatologe Fioralba Dervishi, theksoi rëndësinë e familjes si bërthama e shoqërisë dhe përkushtimin e partisë për ta promovuar, ruajtur dhe shtuar atë. Ajo paraqiti programin "Shtëpia Ime, Atdheu Im", i cili ka për qëllim mbështetje të veçantë për çiftet e reja shqiptare.
“Në programin tonë ne e konsiderojmë familjen si bërthamën e shoqërisë. Me politikat tona ne duam ta promovojmë, ruajmë dhe shtojmë këtë qelizë. Për familjet shqiptare ne kemi krijuar një hapësirë të veçantë të quajtur “Shtëpia Ime, Atdheu Im”. Ky program do të përfitohet një herë në jetë, në martesën e parë. Do të mundësohet kreditimi 100% për blerjen e një apartamenti deri në 80 metra katrorë për çiftet e reja, me interes fiks 1%, pa kolateral. Për këtë të fundit do të dalë garant shteti, i cili do t'ja kalojë në pronësi çiftit në momentin e shlyerjes së kredisë”, sqaroi Dervishi.
Ekonomisti Vasil Dajko theksoi angazhimin e partisë për zgjidhjen e dy problemeve të rëndësishme. Ai u shpreh se, brenda 16 muajsh, partia angazhohet të pajisë çdo shtetas me certifikatën e pronësisë. Gjithashtu, Dajko theksoi se një tjetër problem është mospërfundimi i procesit të legalizimeve, dhe për këtë, partia angazhohet që brenda 6 muajve të përfundojë procesin e legalizimeve dhe më pas të shfuqizojë ligjin përkatës.
“Ne angazhohemi që të zgjidhim problemin e pronave, ku brenda 16 muajsh angazhohemiqë të pajisim çdo shtetas me certifikatën e pronësisë. Problemi i dytë është mospërfundimi i procesit të legalizimeve, e për këtë ne angazhohemi që brenda 6 muajve të përfundojmë procesin e legalizimeve dhe më pas ta shfuqizojmë këtë ligj”, theksoi Dajko.
Inxhinieria software Najada Kambo, gjatë takimit paraqiti disa nga propozimet për përmirësimin e sistemit arsimor. Ajo theksoi angazhimin për të rritur rrogat e mësuesve me 25% çdo vit, duke i dyfishuar ato në fund të mandatit të parë. Kambo gjithashtu propozoi ndryshimin e orarit shkollor, ku shkollat do të fillojnë në orën 08:00 dhe do të përfundojnë në orën 17:00, me detyrim që të gjithë nxënësit të jenë në shkollë nga ora 08:00 deri në orën13:00, ndërkohë që prindërit që dëshirojnë mund t’i lënë fëmijët në shkollë deri në orën 17:00 për ushqim dhe kryerjen e detyrave.
"Do të rrisim rrogat e mësuesve me 25% çdo vit, duke i dyfishuar në fund të mandatit të parë. Nuk mund të ketë një komb të zhvilluar me mësues të pamotivuar. Shkolla do të fillojë në orën 8 të mëngjesit dhe do të përfundojënë orën 17:00, me detyrim do të jetë nga ora 08:00 deri në orën 13:00. Ndërkohë, vetëm prindërit që dëshirojnë mund t’i lënë fëmijët nga ora 13:00 deri në 17:00. Fëmijët do të ushqehen dhe kryejnë detyrat në shkollë. E së fundmi, drejtorët e shkollave nuk do të zgjidhen nga politika, por sipas parimit "një prind, një votë", tha Kambo.
Sekretari Organizativ, Erion Muska theksoi rëndësinë e regjistrimit të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit, duke ftuar të gjithë të sigurohen që të përfshihen në procesin e regjistrimit para 4 marsit dhe të kërkojnë asistencë nga ekipi i partisë në rast nevoje.
"Më lejoni t’ju shpjegoj procesin tepër të rëndësishëm të regjistrimit për votën e diasporës, i cili ka nisur që nga 11 janari. Kujdes, ky proces përfundon pas disa ditësh, më 4 mars, prandaj sigurohuni që të informoni çdo person, miq, familjarë, dhe ata me të cilët bashkëpunoni, në mënyrë që të japim fund njëherë e mirë këtij sistemi të korruptuar. Secili duhet të regjistrohet individualisht në portalin qeveritar, duke plotësuar të dhënat si emri, mbiemri, numri i telefonit dhe adresa e banimit. Për një familje prej katër personash, secili duhet të regjistrohet veçmas. Pasi të përfundoni hapat e regjistrimit, do të merrni një njoftim nëse kërkesa juaj është pranuar apo jo. Duhet të prisni kodin unik që do t'ju vijë në email ose në numrin e telefonit. Nëse nuk e merrni menjëherë, ju lutem bëni durim dhe aplikoni sërish. Mos u dorëzoni! Drejtohuni në adresën tonë zyrtare në faqen www.shqiperiabehet.al, ku kemi ngritur një kanal komunikimi në WhatsApp,ku mund të kërkoni asistencë nga djemtë dhe vajzat tona, 24 orë në 24", tha Muska.
Kreu i Lëvizjes, Adriatik Lapaj prezantoi katër pikat kryesore të platformëssë Levizjes Shqipëria Behet: votën e diasporës, hapjen e listave zgjedhore për të mundësuar qytetarëve të votojnë për kandidatët e preferuar, pra reforma zgjedhore që i jep fund sistemit të mbyllur, miratimin e një ligji për referendumet që garanton fjalën e fundit për qytetarët, dhe depolitizimin e administratës zgjedhore duke siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pavarur.
“Ne kemi një platformë që synon të nxjerrë në majë përmes garës ata që janë më të mirët në fushën e tyre, në arsim, në inxhinieri, në sport, në art, në drejtësi, në kulturë, dhe nëse më të mirët na udhëhoqën, vendi fillon e përparon në të gjitha sektorët dhe jeta bëhet më e mirë. Pas votës së diasporës, si një shtyllë e reformimit të vendit, e dyta është hapja e sistemit zgjedhor. Sot sistemi është i mbyllur, që do të thotë se kryetarët e partive emërojnë kë duan dhe qytetarët janë të detyruar të votojnë të keqen më të vogël. Ajo që ne propozojmë është hapja e listave zgjedhore. Duhet ndryshuar kjo gjë, nuk duhen parë partitë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, por si bashkim vullnetesh zgjedhore. Këta 140 deputetë të garojnë në një zonë të vetme zgjedhore. Ka rëndësi renditja, por si të votojë qytetari. Shtylla jonë e tretë është ligji për referendumet, ku vullneti i jepet qytetarit përmes këtij ligji dhe ky është ndryshimi. Pra, garancia duhet të jetë ligji, pavarësisht cilido vendim nga qeveria. Fjala e fundit i jepet qytetarit. E fundit është pika e katërt, për depolitizimin e administratës zgjedhore. Ne themi që i gjithë procesi i zgjedhjeve të kopjohet nga modeli që keni ju këtu në Greqi, do duhet që procesi të jetë në dorë të profesionistëve të lirë, noterëve, gjykatësve, dentistëve etj. Dhe nëse kapesh duke prekur qoftë edhe një votë, shkon në burg dhe humbet licencën.”

.jpeg)
.jpeg)