January 26, 2025

HAMBURGU, MIKPRITJE HISTORIKE

Image BD

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” organizoi një takim frymëzues me shqiptarët e Hamburgut, ku qindra bashkatdhetarë u mblodhën për të diskutuar rreth ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Adriatik Lapaj, kryetari i Lëvizjes,theksoi se Diaspora është aset kyç për një të ardhme më të mirë. “Fuqia jonë më e madhe sot është jashtë kufijve. Qeveria e sotme investon në luks dhe fasada, duke lënë pas dore nevojat e shqiptarëve, pensionistëve dhe të papunëve,” deklaroi ai, duke përmendur se mbi 5 milionë euro janë shpenzuar për një kopsht brenda Kryeministrisë.

Lapaj shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen entuziaste. “Jo vetëm që shqiptarët në Hamburgmbushën sallën, por mbushën edhe zemrat tona plot energji dhe shpresë"

Në dy javët e fundit, sipas tij, mbi 80 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Lapaj bëri thirrje për një pjesëmarrje sa më masive: “Regjistrohuni dhe bëhuni pjesë e ndryshimit! Diaspora do të jetë forca që do ta thyejë sistemin,” theksoi ai, duke siguruar mbështetje nga ekipi i lëvizjes për të gjithë ata që kanë nevojë për asistencë në procesin e regjistrimit.

Nga ana tjetër, anëtarët e ekipit mbajtën fjalën e tyre përballë të pranishmëve.

Eduart Kaca, përfaqësues i grupit të Dusseldorfit në fjalëne tij theksoi:

'Ne emigrantët me trup jemi këtu, por me mendje dhe zemër jemi në atdhe, prandaj i ndjekim ngjarjet në Shqipëri me shumë kujdes. Detyra jonë si atdhetarë është ta mbështesim këtë lëvizje me të gjitha forcat dhe mjetet, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbahet peng nga një grusht njerëzish. Shqipëria është atdheu i të gjithë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Vet koncepti, 'Shqipëria Bëhet' është një gjetje filozofike e mirëmenduar për të thyer mentalitetin e krijuar se ky vend nuk bëhet.’

Redinela Beqiraj u ndal tek reformimi i çështjes së pronave që parashikohet në programin e Lëvizjes. Sipas Beqirajt, zgjidhja e çështjes së pronave do jetë një nga kriteret kryesore të Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’

Ndërsa avokatja Greta Ambeli solli në vëmendje mashtrimet dhe manipulimet e bëra me procesin e punësimit të studentëve ekselentë. Ambeli bëri thirrje që qytetarët të ndëshkojnë nëpërmjet votës ata që i kanë larguar nga vendi.

Për Elton Laskën, askush nuk duhet të ketë frikë nga tjetërsimi i votës, pasi Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ do të mbrojë me çdo kusht votën e qytetarëve shqiptarë.

Në fjalën e tij, pedagogu Ervis Çela u ndal tek reformimi i sistemit arsimor, duke e vlerësuar si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Sipas Çelës, investimi në sistemin arsimor është investim në të ardhmen e fëmijëve.

Nga ana tjetër, inxhinieri Azmer Duleviç u ndal tek programi ‘Shqipëria Bëhet’ për sistemin e elektroenergjetik, çmimi i energjisë elektrike, dhe çmimi i karburantit. Sipas Duleviç, ajo çfarë parashikohet ne programin e ‘Shqipëria Bëhet’ është së në asnjë rast ky çmim nuk do jetë më i lartë sesa Kosova.

Edona Haklaj, në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e Diasporës në këtë rrugëtim të përbashkët, si dhe solli në vëmendje shtyllat me të cilat Lëvizja e nisi rrugëtimin:

Vota e Diasporës, Depolitizimi i Administratës Zgjedhore, Listat e Hapura dhe Ligji për referendumet.