May 1, 2026

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me mënyrën se si menaxhohen burimet naftëmbajtëse në Shqipëri dhe ndikimin që kjo ka në ekonominë e qytetarëve.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e naftës që nxirret nga vendburimet shqiptare eksportohet jashtë vendit për përpunim dhe më pas rikthehet në tregun vendas me çmime më të larta.
“Çdo ditë kalojnë 2 trena, nga mëngjesi në darkë. 12 vagona, të cilat mbajnë rreth 2,500 ton çdo ditë. Nafta jonë eksportohet, përpunohet jashtë dhe rikthehet këtu për t’u shitur me çmimin më të shtrenjtë në Europë.”
Lapaj thekson se kjo praktikë tregon mungesë të kapaciteteve përpunuese brenda vendit dhe një model ekonomik që, sipas tij, dëmton drejtpërdrejt konsumatorët shqiptarë.
Duke iu referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, ai shton se:
“Vetëm nga koncesionarët privatë gjatë periudhës 2004–2025 janë nxjerrë nga nëntoka shqiptare mbi 16 milionë ton naftë. Thënë ndryshe, është eksportuar çdo ditë sa një anije me përmasa 2,500 ton.”
Në reagimin e tij, Lapaj ngre gjithashtu pikëpyetje mbi arsyeshmërinë ekonomike të këtij modeli:
“Po nëse nuk bën nafta shqiptare, përse lodhen ta nxjerrin dhe eksportojnë me trena? Nxjerrim qindra mijëra ton çdo vit dhe sërish dalim me humbje.”
Ai e lidh këtë situatë edhe me gjendjen sociale të punëtorëve të sektorit të naftës, duke sjellë në vëmendje rastin e punëtorëve të rafinerisë së Ballshit:
“Sot është dhe dita e punëtorëve. Ne jemi vendi i vetëm në botë që nxjerrim qindra mijëra ton naftë në vit dhe në fund rrogat e punëtorëve mbeten pa paguar.”
Sipas tij, rreth 800 naftëtarë të uzinës së përpunimit në Ballsh vijojnë të mos kenë marrë pagat e tyre, duke e bërë edhe më të mprehtë kontrastin mes shfrytëzimit të burimeve dhe përfitimit real për qytetarët.
Deklaratat e Lapajt rikthejnë në vëmendje debatin mbi menaxhimin e pasurive natyrore, transparencën në sektorin energjetik dhe nevojën për politika që garantojnë përfitim më të drejtë ekonomik për vendin.