April 29, 2026

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka ndërmarrë një hap konkret drejt nisjes së një referendumi kombëtar, duke depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pajisjen me formularët tip për mbledhjen e firmave nga qytetarët.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, bëri të ditur se synimi është mbledhja e të paktën 50 mijë firmave për secilin ligj, numër i përcaktuar nga Kushtetuta, për të kërkuar zhvillimin e një referendumi që synon shfuqizimin e dy ligjeve: ligjit për “Investimet Strategjike” si dhe atij të njohur si “Paketa e Maleve”.
Në një deklaratë për media para ambienteve të KQZ-së, Lapaj theksoi se këto ligje, sipas tij, “po justifikojnë marrjen dhe vjedhjen e pronës publike dhe private”, duke shtuar se ato “do të përballen me një proces referendar”.
“Sot jemi këtu para KQZ-së për të depozituar dy kërkesa për dy ligje që po i bëjnë dëm atdheut dhe interesit publik: ligji për ‘Paketën e Maleve’ dhe ligji për ‘Investimet Strategjike’. Dy ligje me të cilat po justifikohet marrja dhe vjedhja e pronës së qytetarëve. Këto ligje do të përballen me një proces nga ana jonë, për mbledhjen e 50 mijë firmave për secilin prej ligjeve, për ta çuar vendin në referendum kombëtar. Sot po depozitojmë kërkesat e grupit nismëtar, të përbërë prej 12 personash, sipas ligjit, dhe në vazhdim do të paraqitemi në çdo rrugë, në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje të vendit, dhe ftojmë qytetarët që të na kontaktojnë që të bëhen pjesë e këtij procesi”, u shpreh ai.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar një angazhim të gjerë në terren, duke synuar mobilizimin qytetar në të gjithë vendin për mbledhjen e firmave.
Kjo iniciativë shihet si një përpjekje për të rikthyer në vëmendje instrumentin e referendumit si një mekanizëm të demokracisë direkte.