SISTEMI ZGJEDHOR

Pse është i rëndësishëm sistemi zgjedhor? Sepse demokracia bazohet në përfaqësim dhe përfaqësuesit zgjidhen me votë. Nëse sistemi nuk lejon zgjedhjen e drejtë, as përfaqësimi nuk do të jetë i tillë. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020, sistemi zgjedhor është një sistem proporcional rajonal, i cili përmban disa karakteristika si konkurrimi rajonal, pragu kombëtar, lista shumëemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore, vota parapëlqyese dhe përfaqësimi gjinor.


Neni 163 i Kodit Zgjedhor kufizon mundësinë e zgjedhësve për të përcaktuar kandidatët fitues dhe ua kalon këtë mundësi subjekteve zgjedhore, duke favorizuar diskrecionin e partive që kanë të drejtë të hartojnë renditjen e kandidatëve në listë. Kufizimi që krijon neni 163 i Kodit Zgjedhor për të drejtën e ushtrimit në mënyrë të barabartë të votës parapëlqyese, për të paktën dy të tretat e kandidatëve të listës shumëemërore, është një kufizim në tejkalim të nenit 17 të Kushtetutës (në bazë të vendimit nr. 28, datë 30.06.2021 të Gjykatës Kushtetuese).


E drejta e votës nuk është një privilegj që pushteti shtetëror ua njeh shtetasve, por një instrument për të zgjedhur mënyrën dhe personat të cilët do të qeverisin vetë ata. Duke ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësve u krijohet mundësia të ndikojnë në mënyrën dhe cilësinë e funksionimit të rendit juridik, duke e bërë shtetasin më të përgjegjshëm për rolin që ka në drejtimin e jetës së vendit. Ky, në fakt, është edhe thelbi i demokracisë (shih vendimin nr. 40, datë 16.11.2007 të Gjykatës Kushtetuese ose vendimin e GJEDNJ-së Aziz kundër Qipros, 22 qershor 2004).  


Në realitetin politik të Republikës së Shqipërisë, rezulton se listat e mbyllura, edhe pas ndryshimeve për thyerjen e tyre kur tejkalohet herësi prej 10 mijë votash, janë kthyer në pengesë të garës së lirë. Nëpërmjet listave të mbyllura, krerët e partive vendosin dominimin mbi jetën politike në vend, duke zhbërë llogaridhënien (si një nga mekanizmat kryesorë të funksionimit të një demokracie) dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të deputetëve me votuesit. Me sistemin elektoral që është në fuqi, të zgjedhurit në Parlament nuk i kanë raportet e llogaridhënies me qytetarët, por me kryetarët dhe partitë përkatëse.


Nga ana tjetër, një nga problematikat e sistemit aktual zgjedhor është vota e pabarabartë. Për shembull, referuar rezultatit zyrtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, në Qarkun Kukës rezulton se për të fituar një mandat për deputet/e janë dashur 12.642 vota, ndërsa në Qarkun Vlorë janë dashur 7.596 vota. Ky fakt provon qartë se vota në Shqipëri nuk është e barabartë, duke cenuar nenin 45, pika 4 të Kushtetutës, i cili përcakton me qartësi se “vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.


Sa më sipër, për një demokraci funksionale, ndryshimi i Kodit Zgjedhor është thelbësor në drejtimet si më poshtë:


1.     Heqja e rajonalizmit duke e kthyer Shqipërinë në një zonë zgjedhore, që do të përmbushte kërkesat e nenit 45, pika 4 të Kushtetutës, duke i dhënë votës në Republikën e Shqipërisë vlerë të barabartë në të gjithë territorin;


2.     Hapja 100% e listave, e cila do të rikthente llogaridhënien ndërmjet të zgjedhurit dhe zgjedhësve si dhe do të zhbënte cënimin e përcaktimeve të nenit 17 të Kushtetutës, të cilat bëjnë fjalë për cënimin e proporcionalitetit.

webflow icon
Buy this Template
All Templates