December 24, 2024
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” organizoi një bashkëbisedim të rëndësishëm me komunitetin shqiptar në Toronto, më 22 dhjetor. Gjatë këtij takimi, folësit kryesorë ndanë propozimet dhe angazhimet e lëvizjes për përmirësimin e kushteve ekonomike, sociale dhe të sigurisë në Shqipëri. Më tej, në pjesën e dytë, komuniteti shqiptar adresoi disa nga problematikat e emigrantëve dhe ngriti disa propozime për të përmirësuar jetesën dhe investimet në Shqipëri.
Klodiana Vata, këngëtare, aktore dhe moderatore shqiptare në Kanada, ndau përvojat e saj si emigrante dhe rëndësinë e ndjekjes së pasionit, pavarësisht sfidave. Në fjalimin e saj, ajo theksoi sakrificat e emigrantëve dhe rëndësinë e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Vata prezantoi lëvizjen qytetare “Shqipëria Bëhet”, e cila aspiron për një Shqipëri të bazuar në ligjin, meritokracinë dhe vlerat demokratike. Duke bërë thirrje për largimin nga militantizmi politik, ajo ftoi shqiptarët të kontribuojnë në ndërtimin e një shteti të fortë e të drejtë.
Në mbyllje, ajo ftoi ekonomistin Vasil Dajko të prezantojë vizionin e kësaj lëvizjeje.
Vasil Dajko, ndau eksperiencën e tij të gjatë në sektorin e financave, duke theksuar sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët dhe emigrantët në përgjithësi.
Dajko theksoi disa prej sfidave më të mëdha që ndodhen përballë shqiptarëve, përfshirë problemet e pazgjidhura të pronave, përfundimin e procesit të legalizimeve, si dhe ndryshimet në sistemin fiskal.
Bazuar mbi këto pika, bashkëthemeluesi solli edhe propozimet që Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka si pika në program për zgjedhjet e vitit 2025.
“Faleminderit që sot dëshmoni se jeni të hapur për ndryshim dhe faleminderit që mirëprisni ide të reja. Prej 10 vitesh punoj në sektorin e financave, ku kam hasur një sërë vështirësish që hasin shqiptarët, por edhe emigrantët kudo nëpër botë. Problemet e pazgjidhura të pronave demotivojnë këta emigrantë të investojnë në vend dhe për këtë, brenda 16 muajsh, ne angazhohemi që të përfundojmë pajisjen e shtetasve shqiptarë me certifikatën e pronësisë. Brenda 24 muajve ne do të zgjidhim çështjen e ish-pronarëve. Mospërfundimi i procesit të legalizimit mban peng qindra milionë dollarë që mungojnë në ekonomi. Ne angazhohemi që brenda 6 muajve të parë të përfundojmë procesin e legalizimit, i cili ka nisur që në vitin 2005. Ndryshimi i shpeshtë i ligjit fiskal nuk lejon bizneset të krijojnë plane afatshkurtra dhe afatmesme. Ne angazhohemi që të reformojmë sistemin fiskal dhe të mos e ndryshojmë derisa ju të na besoni me votën tuaj. Angazhohemi që të heqim tatimin mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 20 milionë lekë të reja. Angazhohemi që ta ulim tatimin mbi fitimin në vlerën 10% për bizneset me xhiro mbi 20 milionë lekë të reja”, u shpreh Dajko.
Pas tij, fjalën e mori Doktori i Shkencave në fushën e sigurisë kombëtare, Ergys Llanaj, i cili paraqiti propozimet për përmirësimin e sektorit të sigurisë dhe forcave të armatosura.
Llanaj shpjegoi se lëvizja është konsultuar me ekspertë nga fushat më të ndryshme dhe ka hartuar një program që në vijim do të publikohet në faqen zyrtare të lëvizjes, ku qytetarët mund të dërgojnë sugjerimet e tyre.
Llanaj theksoi se një nga angazhimet kryesore të lëvizjes është rritja e buxhetit për Forcat e Armatosura nga 2% në 3%, si dhe një rritje e konsiderueshme e pagave për punonjësit e sigurisë.
“Ne jemi konsultuar me ekspertët më të mirë të disa fushave dhe shkruam programin, të cilin do ta gjeni në faqen tonë të internetit, ku pasi ta keni lexuar ju kërkojmë që ta ndani me ne edhe sugjerimet tuaja. Sa i takon fushës që unë mbuloj, pra në fushën e sigurisë, ne angazhohemi që buxhetin për Forcat e Armatosura ta çojmë nga 2 në 3%. Pagat e ushtarëve dhe policëve do të rriten me 60% në 4 vitet e para, ndërsa për zjarrfikësit do të rriten me 100% në 4 vitet e para. Sa i takon Njësive Komando dhe Forcave Speciale, do t'u japim një status të veçantë, ku do të përfshihen në atë që e quajmë gangrenën e vendit tonë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” sqaroi Llanaj.
Një tjetër moment i rëndësishëm i takimit ishte fjalimi i gazetarit dhe publicistit Arjan Konomi, i cili ndau mendimet e tij për angazhimin në politikë dhe për sfidat që ka kaluar Lëvizja "Shqipëria Bëhet”. Ai solli në vëmendje një “luftë të shëmtuar shpifjesh dhe shantazhesh” që ka nisur ndaj lëvizjes, por theksoi se kjo e fundit ka arritur një sukses të rëndësishëm: të drejtat e votës për shqiptarët jashtë vendit, pa pasur nevojë të shkojnë në Shqipëri.
“Shpresat dhe ëndrrat e mia dikur ishin si të pamundura, derisa me Adriatikun dhe ekipin e ‘Shqipëria Bëhet’ pashë që në Shqipëri ka diçka ndryshe, ka njerëz që janë më të pastër, më të ndershëm. Fillimisht jam shprehur në intervista që nuk angazhohemi në politikë. Do e kisha më të lehtë të shkoja si nga e majta, si nga e djathta, por ishte e pavlefshme. Që në '91-ën kanë qenë tre emra që vërtiteshin, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Edi Rama dhe ende vijojnë po ata. Ata e kanë bërë Shqipërinë si një pronë, një pronë që e kanë vjedhur dhe ja kalojnë njëri-tjetrit po të njëjtat skelete politike. Kanë nisur edhe një luftë të shëmtuar shpifjesh, shantazhesh për Lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’. Duke parë edhe pjesëmarrjen në takimet tona, kanë nisur një valë shpifjesh lidhur me financimet mbi lëvizjen. Ne nuk shkojmë nëpër qytete vetëm se na pëlqejnë vendet, por sepse njerëzit na thërrasin. Dua të them që kjo lëvizje ka bërë suksesin e parë sepse mori iniciativën që ju nga jashtë të keni të drejtën e votës pa qenë nevoja që të shkoni në Shqipëri. Le ta gëzojmë këtë të drejtë, votoni dhe reflektoni në funksion të asaj që mendoni,” u shpreh Konomi.
Në fund, fjalën e mori kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili foli për shpresën dhe angazhimin për një ndryshim të vërtetë në Shqipëri. Ai theksoi se ndryshimi nuk është një çështje individësh, por një çështje e një formule që është ndërtuar gabim dhe që duhet shembur. Lapaj theksoi se Lëvizja “Shqipëria Bëhet” është e angazhuar për të ndërtuar një vend demokratik dhe të zhvilluar, dhe bëri thirrje për mbështetje nga diaspora.
“Unë sot do të flas për shpresën. Është një shprehje që më pëlqen shumë dhe që mundohem të frymëzoj ekipin tim, shqiptarët dhe çdo kush që takoj: ‘Aty ku nata është më e errët, aty nis një agim më i ri!’ Gara është themeli i gjithçkaje, në mënyrë që më të mirët të na udhëheqin në shëndetësi, në shkencë, në gazetari, në drejtësi, në sport. Paramendoni një ekip ku futen lojtarët se janë miku apo shoku i filanit, kurrsesi nuk mund të shpallen kampionë. Më të mirët janë ata që futen në fushën e lojës pavarësisht të kujt janë apo sa para kanë. Kjo mund të bëjë ndryshimin e madh për të ndërtuar një vend demokratik si ky që jeni ju. Nuk bëhet thënë. Si mund të mos bëhet? Po çfarë ka Shqipëria në krahasim me këtë vend ku jemi këtu? Mos ka det më të keq? Male më të pakta? Toka bujqësore më të pakta? Më pak diell? Shqipëria i ka të gjitha, por nuk ka gjë, sistemin demokratik me në krye garën që sjell ndryshimin. Ne këtë duam të bëjmë. Nuk është çështje individësh, është çështje e një formule që është ndërtuar gabim. Ne këtë duhet ta shembim. Na ngelet o të jemi peng i këtyre, ose të përballemi me ta dhe të vendosim një model të ri. Prandaj kam vetëm një thirrje për ju: Ju lutem mos na lini vetëm!” u shpreh Lapaj.
Ky bashkëbisedim ishte një mundësi për komunitetin shqiptar në Toronto që të dëgjonin propozimet dhe angazhimet e lëvizjes për një Shqipëri më të zhvilluar dhe për të reflektuar mbi mundësitë që diaspora ka për të kontribuar në ndryshimet e nevojshme.