July 27, 2026

Policia shoqëron me forcë aktivistin e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” gjatë protestës përpara Parlamentit

Image BD

Sot, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Edona Haklaj, aktivisti Elidon Mehmetaj, së bashku me dhjetëra aktivistë dhe drejtues të Lëvizjes, ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për protestë përpara Parlamentit të Shqipërisë.

Gjatë protestës, pas përpjekjeve për të intimiduar protestuesit dhe përdorimit të forcës ndaj tyre, Policia e Shtetit shoqëroi me forcë aktivistin Elidon Mehmetaj.

Elidon Mehmetaj është student i shkëlqyer i Shkencave Politike dhe aktivist i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në përpjekjen për një Shqipëri më demokratike dhe një shtet që respekton qytetarët dhe të drejtat e tyre.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e konsideron të papranueshëm çdo përpjekje për të ushtruar presion apo intimidim ndaj qytetarëve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e tyre për protestë.

Asnjë akt presioni apo përdorimi force nuk do të na tërheqë nga rruga jonë. Përkundrazi, këto veprime vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të vazhduar betejën politike dhe qytetare për largimin e Edi Ramës nga drejtimi i vendit dhe për demokratizimin e Shqipërisë.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do të vijojë të jetë në krah të çdo qytetari që ngre zërin dhe proteston në mënyrë paqësore kundër padrejtësive, abuzimit me pushtetin dhe keqqeverisjes.