December 17, 2024

Michigan, shqiptarët bëhen bashkë për lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’

Image BD

Mbështetje masive ishte rezervuar për ekipin e ‘Shqipëria Bëhet’ në Detroit, Michigan.

Ergys Llanaj, nga ekipi drejtues i Lëvizjes, vlerësoi arritjet e shqiptarëve dhe kontributin e tyre:
“Ne jemi të lidhur me trashëgiminë tonë, ëndrrat kolektive dhe dashurinë për vendin tonë, Shqipërinë, pavarësisht se ku ndodhemi, qoftë në qytetet e zhurmshme të Amerikës, Europës apo Azisë. Zemrat tuaja rrahin në unison në frymën e atdheut tonë. Prania juaj këtu sot është një dëshmi e përkushtimit dhe frymës mbizotëruese që na përfaqëson si komb. Ju jeni ambasadorët e kulturës sonë, vlerave dhe aspiratave tona. Përvojat dhe njohuritë tuaja janë vendimtare për përparimin tonë. Ne kërkojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, duke siguruar që secili prej jush të ndihet i lidhur me vendin. Ju bëj thirrje që të vazhdoni të angazhoheni dhe të investoni për të ardhmen e vendit tonë me mençurinë dhe sukseset tuaja.
Pasi u konsultuam me ekspertët më të mirë, ndërtuam një program, të cilin, pasi ta prezantojmë, duam që ju, bashkëkombasit tanë, ta lexoni dhe të na sugjeroni nëse ka pika që duhen ndryshuar apo përmirësuar, duke marrë parasysh arsimin dhe eksperiencën tuaj në SHBA. Ne duam që në vitin 2025 ju të mos votoni vetëm emra, por edhe një program që është kontrata jonë me ju. Gjithashtu, duam që edhe vëllai apo motra juaj të mos votojë një kandidat për 4 vitet e ardhshme, por të votojë për një program që përfaqëson një kontratë të ndershme dhe të qartë me qytetarët shqiptarë,” – u shpreh Llanaj.

Ndërsa ekonomisti Vasil Dajko prezantoi disa zgjidhje konkrete për sfidat kryesore që hasin qytetarët dhe emigrantët shqiptarë:

“Si ekonomist, gjatë punës kam parë nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe pyetjet që ata shtrojnë vazhdimisht dhe konkretisht.
1. Problemi i pronave nuk lejon zhvillim të qëndrueshëm dhe demotivon emigrantët të investojnë. Për këtë kemi dy zgjidhje:
* Brenda 16 muajve do të përfundojë pajisja e pronarëve me certifikata pronësie.
* Brenda 24 muajve do të zgjidhen çështjet e ish-pronarëve, që është një problem 32-vjeçar.
2. Ne angazhohemi të reformojmë sistemin fiskal që të mos ndryshojë më për aq kohë sa bashkëqytetarët të na besojnë votën. Angazhohemi të heqim tatimin mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 20 milionë lekë të reja.
Vizioni ynë është i qartë: do të ulim barrën fiskale që të mos paguajnë pak disa, por të paguajnë nga pak të gjithë.
Administrata do të ndahet nga tatimet dhe punonjësit e tatimeve do ta kenë të ndaluar të shkojnë te bizneset e vogla. Qytetarët do të tërheqin për çdo blerje kuponin tatimor dhe, në fund, do ta dorëzojnë për të marrë mbrapsht 10% të TVSH-së së paguar.
Ne do të ndërtojmë një shtet që i përket gjeneratës së re, një shtet që nuk ka lidhje me Partinë e Punës. Sot jemi këtu për të dëgjuar mendimet tuaja dhe për të mësuar nga përvojat tuaja, sepse po, Shqipëria Bëhet.”

Ndërsa Sekretari Organizativ i Lëvizjes, Erion Muska, u ndal te procesi i votimit për emigrantët shqiptarë:
“Të nderuar miq, ju i dini mirë problemet e Shqipërisë, ndaj edhe jeni larguar. Ne kemi ardhur këtu për t’ju folur për disa nga zgjidhjet. Ajo që dua të theksoj është një nga nismat më kryesore që Lëvizja Shqipëria Bëhet ka marrë që prej fillimit të saj: e drejta e votës së diasporës. Ndaj, nisëm një betejë, rrugë më rrugë, nëpër qytetet e Shqipërisë dhe të diasporës, ju ftuam ju të firmosnit dhe mundësuam, për herë të parë pas 34 vjetësh, që ju të votoni. Sot ajo është realitet dhe ju, bashkë me gjithë shqiptarët e diasporës, do të votoni në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Si do të votohet në zgjedhjet e ardhshme?
120 ditë përpara zgjedhjeve do të hapet një portal ku secili prej jush duhet të regjistrohet për të votuar. Secili nga ju do të futet në portal dhe do të regjistrohet duke futur të dhënat e tij personale. Dua të theksoj se një familje e përbërë nga katër anëtarë duhet që secili të regjistrohet individualisht. Nuk mjafton që të regjistrohet vetëm njëri nga anëtarët e familjes; secili duhet të kryejë regjistrimin më vete. Ju lutem, verifikoni dokumentet tuaja të identifikimit që të jenë të vlefshme, sepse vetëm nëpërmjet dokumenteve të vlefshme mund të votoni në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Një porosi e fundit: mos dëgjoni fjalë të kota që thonë se vota do të manipulohet. Po të mos ishte vota e rëndësishme, nuk do të përpiqeshin ta blinin. Ju lutem, votoni masivisht, regjistrohuni masivisht, që të bëjmë ndryshimin në vendin tonë.”

Profesori dhe avokati Ervis Çela u ndal te sfidat e arsimit cilësor:
“Programi ynë përfshin dyfishimin e pagave për mësuesit dhe politika për të tërhequr profesionistët shqiptarë nga diaspora për të dhënë kontributin e tyre në vend. Gjithashtu, lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme do të përfshijë 50% shqiptarë nga diaspora, si pjesë e një angazhimi për përfshirje dhe përfaqësim.”

Ndërsa kreu i Lëvizjes, Adriatik Lapaj, në fjalën e tij, por edhe në bashkëbisedimin me të pranishmit, u ndal te pikat e programit, te rrugëtimi njëvjeçar i Lëvizjes, si dhe te rëndësia e ndryshimit të sistemit dhe votës masive të qytetarëve.