November 27, 2024

Me blegtorët dhe fermerët në Krutje e Sipërme, vazhdon cikli i takimeve të 'Shqipëria Bëhet'

Image BD

Në vijimin e takimeve me fermerët dhe blegtorët, përfaqësues të lëvizjes 'Shqipëria Bëhet' zhvilluan një takim të rëndësishëm me fermerët dhe blegtorët e fshatit Krutje e Sipërme në zonën bujqësore të Lushnjes. Gjatë takimit u prezantua programi ekonomik i lëvizjes me fokus në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtërisë.


Programi parashikon një sërë masash konkrete, duke filluar nga subvencionimi i prodhimit për kilogram. Një rëndësi të veçantë i është kushtuar kontrollit të cilësisë, duke propozuar vendosjen nën mbikëqyrje të plotë të subjekteve që tregtojnë fara, fidanë, pesticide dhe plehra kimike.


Një nga pikat më të rëndësishme të programit është krijimi i Bankës Kombëtare Agrare me kapital tërësisht shtetëror. Kjo bankë do të ofrojë kredi me interesa të ulëta për fermerët, blegtorët, peshkatarët dhe bletërritësit, duke synuar t'i japë fund problemit të kredive me interesa të larta nga institucionet e mikrokredive.


Programi përfshin gjithashtu masa për mbrojtjen nga importet e paligjshme dhe krijimin e Qendrës Kombëtare për certifikimin e tokave bujqësore. Vëmendje e veçantë i është kushtuar stimulimit të investimeve në industrinë përpunuese, duke përfshirë ndërtimin e linjave të prodhimit për salca, komposto, lëngje frutash dhe prodhime të tjera bujqësore.