December 8, 2025

Mbrëmjen e 8 dhjetorit, kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, nisi një qëndresë të pandërprerë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
Protesta, nisi si një akt individual dhe simbolik, me Lapajn të ulur në një karrige, pa logo partie, në atë që ai e cilëson si një thirrje qytetare për reagim të madh shoqëror. Gjatë një videoje reagimi nga sheshi para Kryeministrisë, Lapaj deklaroi se kjo është një ftesë për bashkim përtej ndasive partiake, ku çdo forcë politike apo grupim duhet të lërë logot dhe protagonizmin, për t’u bërë bashkë si qytetarë.
Lapaj shprehet se zgjodhi 8 Dhjetorin si një datë simbolike, në kujtim të nisjes së lëvizjes studentore, dhe thekson se ka pritur gjatë gjithë ditës të shohë reagim qytetar ndaj zhvillimeve politike dhe institucionale.
Sipas tij, mungesa e protestës dhe e reagimit të shoqërisë e shtyn të ndërmarrë vetë këtë akt simbolik, duke nisur qëndresën si qytetar, me vendosmërinë për të qëndruar ditë e natë përpara Kryeministrisë.
“Sot është 8 dhjetori, dita kur nisi lëvizja studentore që rrëzoi komunizmin. Kam pritur gjithë ditën të ketë reagime, protestë, inat ndaj gjithçkaje që po ndodh. Por nuk ndodhi asgjë. Ndaj jam rikthyer, për të protestuar si qytetar. Jo me dreka e darka, por me karrige e këmbë në tokë. Do jem këtu ditë e natë. Dhe kjo s’është vetëm simbolikë, është detyrë”, u shpreh Lapaj.
Lapaj shpreh besimin se qindra e mijëra qytetarë do t’i bashkohen kësaj thirrjeje, duke e konsideruar këtë moment si një provë për demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve në vend.


.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)
.jpeg)